
Shkrimtari i mirënjohur Gazmend Kapllani, i përmendur nga kritika perëndimore për origjinalitetin dhe talentin e tij vlerësohet nga kritika franceze dhe është finalist i çmimit letrar “Prix Méditerranée étranger 2020”. Vepra që ka tërhequr vëmendjen e kritikës franceze është romani “I Keqi i Vetes”, i cili u publikua në shqip një vit më parë dhe vëtëm para pak kohësh u përkthye në frëngjisht. Njoftimin për publikun e bën vetë autori nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”.
“Prix Méditerranée” është një çmim letrar francez i themeluar në vitin 1984 dhe i jepet çdo vit një libri me prozë dhe gjuhë frënge (roman, ese, kujtime ose tregime të shkurtra) me një temë mbi Mesdheun. “Prix Méditerranée étranger”, i themeluar më 1992, i jepet një autori mesdhetar jofrancez, vepra e të cilit është përkthyer në frëngjisht.
Gazmend Kapllani, i përkthyer në mbi dhjetë gjuhë, është shumë i vlerësuar nga kritika ndërkombëtare. Vepra e tij ka pasur mjaft sukses në Greqi, ku ai ka jetuar për shumë vite, dhe kudo ku është përkthyer e publikuar. Përveçse shkrimtar i suksesshëm, Kapllani është edhe aktivist i njohur, përfaqësues i komunitetit shqiptar në Greqi dhe anëtar i Këshillit Koordinues për Diasporën.
Libra të tjerë nga autori: “Ditar i shkurtër kufijsh”; “Je m’appelle Europe”; “La dernière page”.
“Karli dhe Frederiku janë dy vëllezër nga qyteti Ters në Shqipëri, një qytet imagjinar, i ngjashëm me një kolazh të qyteteve të ndryshme të Ballkanit. I ati i tyre, një ish-komunist fanatik (që i pagëzoi ashtu djemtë e tij për nder të Karl Marksit dhe Frederik Engelsit), po përcillet për në banesën e fundit. Karli kthehet nga mërgimi në vendlindje, për të marrë pjesë në zinë familjare.”



