
Kompozitori dhe dirigjenti i mirënjohur italian Ezio Bosso u ka kërkuar fansave të tij që të mos i luten më për të luajtur në piano pasi dy gishtat e tij “nuk përgjigjen mirë më” për shkak të një sëmundjeje neurodegjenerative.
Bosso po drejtonte Orkestrën e tij Filarmonike të Evropës në një teatër në Fogia, në rajonin jugor italian të Puljas, mbrëmjen e së shtunës, dhe publiku i lutej vazhdimisht që të luante.
"Nëse më doni, ju lutem mos më kërkoni që të luaj më. Ju nuk e dini vuajtjen që më shkakton... Kam dy gishtërinj që nuk më përgjigjen më mirë dhe kështu nuk mund t'i jap aq shumë muzikës", ka thënë ai gjatë një diskutimi në një ekspozitë në Bari të nesërmen.
Bosso, 48 vjeç, vuan nga një sëmundje neurodegjenerative që nga viti 2011. Ai fillimisht vazhdoi të luante piano, por që nga viti 2017 është përqendruar më shumë te kompozimi.
"Heqja dorë nga pianoja nuk është aq e rëndë sa duket. Gjithnjë e kam konsideruar vetën një pianist nga “rastësia”. Vokacioni im i vërtetë është podiumi dhe shkrimi i muzikës. Mbusha 48 vjeç më 13 Shtator – e konsideroj si fillimin e një jete të dytë, të gjithën kushtuar orkestrës sime”.
Bosso, theksoi se përkundër asaj që janë shprehur disa media, ai nuk do ta braktisë muzikën, por vetëm të luajturit në piano solo. Gjë të cilën ai vetë e ka njoftuar dy vjet më parë dhe sigurisht ka vazhduar të merrët me muzikën.
Bosso ka dirigjuar disa orkestra, përfshirë Orkestrën Simfonike në Londër, dhe ka fituar disa çmime për kompozimet e tij, të cilat janë bërë pjesë e filmave dhe dhe prodhimeve të ndryshme teatrore. /The Guardian/



