
Në Muzeun Historik Kombëtar, është hapur mbrëmë ekspozita personale “Portrete-Anatomia e imazhit” e artistit Edvin Çelo.
Një ekspozitë e kuruar nga prof. Vladimir Myrtezai (Grosha), vjen pas një projekti, që ka vijuar ndër vite.
Fotografi Edvin Çelo thotë se janë18 portrete të printuar dhe 18 janë në instalacion në projekt, si rezultat i një pune 12 vjeçare.
“Janë 36 portrete, artistë, sportistë, njerëz të artit dhe kulturës, shkrimtarë. Kur isha student realizova një instalacion me 620 portrete, që ishin njerëz të zakonshëm të gjithë. Publiku kishte një shkëmbim me një teleobjektiv, ku dhe vetë bëhej pjesë e veprës. Kur vendoste syrin tek lupa aparatit atëherë me një teleobjektiv portretet që ishin për të printuar me dimension të vogël, përktheheshin dhe konvertoheshin në dimension real. Pas kësaj pune lindi ideja për të bërë të kundërtën e portreteve nga njerëztë thjeshtë të kalonim në njerëz publikë. Kështu filloi puna dhe besoj, që mbi 10 vite që është dashur për këtë projekt është shumë e pasqyruar në këtë ekspozitë”, thotë ai.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se: “Fotografia në vetvete është një shenjë e lënë në kohë, e cila na vjen edhe pas shumë vitesh për të na rikijtuar çaste dhe momente të rëndësishme të jetës sonë. Sot në këtë ekspozitë do të kemi kënaqësinë të shohim detajet e portreteve të sjella me aq mjeshtëri nga fotografi Edvin Çelo. Është një përmbledhje portretesh të marra nga fusha e artit, sportit dhe kulturës. Imazhet janë impresionuese, pasi duket sikur flet drejtpërsëdrejti me personazhet dhe jam i bindur që është një vlerë e shtuar për Muzeun Historik Kombëtar”.
Kuratori i ekspozitës Z. Vladimir Myrtezai përshëndeti duke thënë: “Të fotografosh kohën është një mision që ka të bëjë me një proces të veçantë dhe me një rrugëtim të zgjatur për ta kthyer momentin e fiksuar nga një element temporal në një ndalesë evokuese, ku përmbajta fotografike vjen si nënshtresë e ri-tregimit përmes artit të vrojtimit. Si në të gjitha udhëtimet e mendjes, fotografi është një përcjellës i takimeve të para i cili transmeton vëzhgimin e tij përmes paralelesh kulturorë dhe rrugëtimit mbi shpatullat e një ecurie të traditës. Por jo gjithkush mbërrin në një destinacion për të transmetuar kohën e vet, pasi jo të gjithë kanë aftësinë ta paraqesin këtë akt të ndalimit të ekzistencës së materies përmes imazhit si një kohë e ndalur që kërkon të ndalojë cilësisht”.

Ekspozita “Portrete-Anatomia e imazhit” e artistit Edvin Çelo , do të qëndroj e hapur deri më 28 shtator, në ambientet e Muzeun Historik Kombëtar.





