Në vigjilje të Krishtlindjeve, festat nuk kanë kuptim pa “ARRËTHYESIN”, baletin emblematik të Krishtlindjes, me muzikën e pa përsëritshme të Tchaikovsky-t që sjell festën, magjinë, atmosferën e ngrohtë e dhjetorin e ftohtë, si dhe përrallën me fund të lumtur!
Produksioni më i ri ‘’Arrëthyesi’’ i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit vjen këtë vit për të parën herë në Shqipëri edhe për të gjithë njerëzit me shikim të kufizuar, nëpërmjet audio përshkrimit, gjatë premierës së shfaqjes, ditën e sotme prej orës 19.00.
Për njerëzit me shikim të kufizuar hyrja në sallë behët 50 minuta para nisjes së shfaqjes. Gjatë kësaj kohe përshkruesi do të ndajë me ju më shumë detaje nga historia e mrekullueshme e Arrëthyesit.
Përshkrimi zanor LIVE do të realizohet nga folësi Gentian Mumajezi, i specializuar në interpretimin vizual të shfaqjes i cili sjell në jetë përformancën në sytë e mendjes suaj, me përshkrime të gjalla të lëvizjes së balerinëve si dhe aksionit dhe dramës që ndodh në skenë.
Përpara nisjes së shfaqjes do të realizohet një tour i cili do t’ju mundësojë një kuptim më të thellë të “Arrëthyesit”.
Ndërsa dëgjoni përshkrimin e skenës do të keni mundësinë të prekni edhe disa pjesë të kostumeve dhe do të njiheni me detaje nga historia dhe personazhet e Arrëthyesit.
Arrëthyesi” ju mirëpret në datat 22- 23- 24 dhjetor në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Muzika e pakrahasueshme e Tchaikovsky-t, që do të interpretohet nga Orkestra Simfonike e TKOB-së nën dirigjimin e maestros, Jacopo Sipari di Pescasseroli.
Përralla në skenë, që do të vijë nën interpretimin magjik të Trupës së Baletit, të veshur me kostumet e mrekullueshëm të krijuar nga Edlira Qyshka.
Kori i TKOB-së, Kori i Zërave të Bardhë, dhe gjithë produksioni gjigand i kësaj shfaqjeje premierë, do t’i bëjnë Krishtlindjet të pa harrueshme.





