
Baleti “Carmen” pati premierën mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB), me pjesëmarrjen e primabalerinës së mirënjohur Anbeta Toromani.
Premiera u mirëprit nga publiku, duke mbushur plot sallën e TKOB, dhe solli një interpretim dramatik që riktheu në Tiranë edhe një herë Anbeta Toromanin në rolin protagoniste.
“Carmen”, e shkruar fillimisht si operë nga kompozitori francez Georges Bizet, me kalimin e viteve është transformuar edhe në balet nga koreografë të ndryshëm të njohur ndërkombëtarisht.
Kjo vepër erdhi në një premierë tërësisht të re në të gjithë komponentët e saj: me koreografi nga Amedeo Amodio, një qasje të re muzikore nga Giuseppe Calì, si dhe skenografi dhe kostumografi nga Luisa Spinatelli.
Përveç trupës së baletit të TKOB, në skenë u ngjitën edhe dy artistë të ftuar, Alessandro Macario dhe Luca Curreli, të cilët interpretuan përkatësisht rolet e Don José dhe Escamillo.
Anbeta Toromani do të interpretojë sërish në rolin e Carmen-it edhe sonte, në datën 5 maj, ndërsa shfaqjet do të vijojnë më 9 dhe 10 maj me kastin e dytë, ku marrin pjesë Dion Gjinika, Adela Muçollari dhe Sabina Maklekaj.
“Carmen” (1875) është një operë në katër akte me libret nga Henri Meilhac dhe Ludovic Halévy, bazuar në novelën e Prosper Mérimée. Ajo rrëfen historinë tragjike të Don José, një ushtarak i joshur nga Carmen, i cili braktis karrierën për të, por përfundon duke e vrarë në një akt xhelozie dhe obsesioni.
Shfaqjet janë planifikuar për datat 5, 9 dhe 10 maj, ndërsa më pas baleti pritet të prezantohet edhe në Bolonjë.



