Skulptura “Rrënjët”, e vendosur në shëtitoren “Taulantia” në Durrës, ka pësuar dëmtime në strukturën e saj.
Aktualisht, zona përreth është rrethuar për të garantuar sigurinë e vizitorëve.
Sipas Drejtorisë së Agjencisë së Parqeve Urbane në Durrës, dëmtimi dyshohet të jetë shkaktuar si nga vizitorët që realizojnë fotografi pranë veprës, ashtu edhe nga kushtet atmosferike.
Për restaurimin e skulpturës pritet mbërritja e ekspertëve nga Tirana, ndërsa pas ndërhyrjes restauruese, vepra do të rikthehet në vendin e saj në shëtitore.
“Rrënjët” është realizuar në bronz nga skulptori Adrian Dule dhe është vendosur në këtë hapësirë publike në pranverën e vitit 2023.
Vepra simbolizon lidhjen e qytetit me detin, si dhe rrënjët e emigrantëve shqiptarë.



