
Teatri Metropol sjell në skenë premierën absolute “Oh ato ditë të bukura” të Samuel Beckett-it me regji nga Arben Kumbaro.
Vepra e cila është cilësuar një nga më të njohurat e teatrit modern botëror, do të interpretohet nga “Mjeshtre e madhe” e skenës, Yllka Mujo, shoqëruar dhe nga interpretimi i aktorit të mirënjohur Sokol Angjeli.
“Oh ato ditë të bukura” është përzgjedhur për t’u vënë në skenën e Teatrit Metropol nga regjisori i njohur Arben Kumbaro përgjatë 13 netëve.
“Qëllimi i vënies së kësaj shfaqje është gjallërimi i jetës kulturore në Tiranë në këtë kohë fatkeqe të pandemisë. Vepra është në kufijtë e një monodrame dhe do interpretohet nga një prej aktoreve më të shquara të traditës tonë teatrale, Yllka Mujo. Duke qenë se jetojmë brenda mundësive krejtësisht të limituara fizike, kërkesat që ka ky projekt e bëjnë krejtësisht të mundur realizimin e tij. Vepra ka vlera të jashtëzakonshme aktuale dhe është një ulërimë dhe reflektim mbi kuptimin e jetës njerëzore. Një përpjekje në rikthim të shpresës në shoqërinë tonë” shprehet regjisori Arben Kumbaro.
“Oh, ato ditë të bukura” e Samuel Beckett është një pjesë me dy akte. Ajo ka marrë vlerësimin e mbarë kritikës botërore dhe vetë autori është fitues i çmimit Nobel. Disa prej tyre e kanë cilësuar si një ndër pjesët më të mira të shkruara në të gjitha kohërat.
Ajo i takon Teatrit Absurd dhe vëniet e saj kanë njohur skenat e rëndësishme të shumë teatrove në botë.
Vepra është kryesisht një monodramë ku personazhi kryesor Vini shpesh krahasohet me rëndësinë që ka Hamleti në teatër.
Vepra “Oh ato ditë të bukura”, është në skenë në datat 8, 9, 10, 15, 16, 17, 22, 23, 24, 29, 30, 31 tetor.
Kjo premierë teatrore vjen në skenë në vijim të sezonit artistik të Metropol.



