
89 vite më parë, përkatësisht më 20 shkurt të vitit 1934 në fshatin Kollovoz të Kukësit, lindi poeti disident, Havzi Nela.
Pasi kreu shkollën fillore dhe të mesme, ai nisi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës.
Për shkak të bindjeve, u përjashtua nga instituti si element destruktiv. Mes shumë vështirësish, filloi punë si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë në Mat.
U dëbua nga ky fshat për shkak të dyshimeve që ishin ngritur rreth tij: mendohej se u lexonte nxënësve poemat e tij. Më vonë arriti të përfundonte Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës me korrespondencë.
Punoi si mësues në fshatra të ndryshëm, si në Krumë, Lojma dhe në Shishtavec deri në vitin 1967, vit kur u transferua në Topojan.
Aty kontrollohej vazhdimisht dhe u mor në paraburgim shumë herë.
Ndaj tij nisën një sërë kufizimesh mbi llojin e punës që mund të bënte dhe ku mund të jetonte.
Më 26 prill 1967, bashkë me të shoqen, Lavdien, kaluan kufirin me Kosovën. Gjatë kalimit të kufirit, u arrestuan nga ushtarët jugosllavë dhe u burgosën në burgun e Prizrenit.
Më 6 maj 1967, jugosllavët i kthyen në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të shqiptarëve nga Kosova, që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, UDB-së.
Më 22 maj 1967 u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalim të paligjshëm kufiri.
E gjithë pasuria e tij u konfiskua. E shoqja u dënua me dhjetë vjet burg. Më 8 gusht 1975, dënimit ekzistues iu shtuan edhe tetë vite të tjera. U lirua më 19 dhjetor 1986, por vetëm për një kohë të shkurtër.
Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor 1987, u internua në fshatin Arrën.
Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesën e Lavdie Nelës, dhe ai u dënua me varje.
Pas dënimeve të përsëritura si i pandreqshëm, më 10 gusht 1988, poeti Havzi Nela u var në qendër të qytetit të Kukësit, për “tradhti të lartë ndaj atdheut”.
Nela është dekoruar me medaljen “Martir i Demokracisë”.



