
Festivali i filmit në Londër ka vënë në qendër regjisoret femra dhe protagonistet në role. Drama biografike “Collete”, një histori e vërtetë që flet për feminizmin dhe politikat gjinore, sjell në rolin kryesor aktoren Keira Knightley.
Ngjarje vendosen në Paris, gjatë të ashtuquajturës Bell Epoque, kur shkrimtarja franceze Sidonie-Gabrielle Colette pranon nën presion të shkruajë nën emrin e të shoqit një libër që më vonë kthehet në bestseller.
Më vonë, ajo do të nisë me të shoqin betejën për të drejtën e autorit, ndërkohë që paralelisht angazhohet në një marrëdhënie tronditëse me një femër.
Festivali u hap me filmin e ri të Steve McQueen, i cili rrëfen jetën e vejushave të katër kriminelëve. Viola Davis luan rolin kryesor, atë të Veronikës, e cila bashkohet me tre gratë e tjera për të luftuar kundër një bande gangsterësh. Katër gratë planifikojnë një grabitje, pasi bashkëshortët e tyre vriten si pasojë e përleshjes me një bandë rivale gjatë vjedhjes së një tjetër banke.
Kreu i bandës beson se Veronica e di se ku fshihen paratë dhe vihet në kërkim të saj. Veronica mendon se me ndihmën e vejushave të tjera, ajo mund të përfundojë punën që kishin nisur burrat e tyre. Producenti Steve McQueen thotë se "zakonisht, njerëzit flasin për filma të kësaj natyre dhe thonë “oh, është e mrekullueshme që bëjnë filma me femrat që drejtojnë". Në vitet '30 dhe '40 dhe ‘50 janë bërë gjatë gjithë kohës filma të tillë. Ato femra ishin ikona, u kthyen në yje. Pse nuk vazhdojmë ta bëjmë sërish këtë gjë? Unë nuk e di”.
Festivali i Filmit në Londër do të mbyllet më 21 tetor, me premierën botërore të "Olios dhe Stenlit", një film për dyshen e famshme që dominoi periudhën e hershme klasike të Hollivudit dhe kinemasë amerikane. Steve Coogan luan rolin e personazhit Stan Laurel, ndërsa John C. Reilly luan rolin e Oliver Hardit-i.



