
70-vjetori i Kinematografisë shqiptare mblodhi mbrëmë në një ceremoni festive aktorë, regjisorë, skenaristë, piktorë, inxhinierë e teknikë, që bënë historinë e filmit shqiptar.
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Ministrisë së Kulturës, ish-Kinostudio, ishte e pranishme edhe ministrja Elva Margariti, e cila u shpreh se “Kinostudio prej vitesh nuk kishte përjetuar emocione të tilla”.
U bëmë pjesë e një mbrëmjeje yjesh në 70-vjetorin e Kinostudios. Një mbrëmje-homazh për ata që nuk janë më dhe një falënderim për kineastë, aktorë, piktorë, inxhinierë e teknikë, që bënë historinë e filmit shqiptar.
Një atmosferë e ngrohtë nën tingujt e kolonave aq të bukura zanore të kompozitorëve tanë të mëdhenj, interpretuar nga orkestra “Simfoart.
70 vjet më parë u përurua Kinostudio “Shqipëria e re”, një kinema unike dhe e rëndësishme, që krijoi qindra karaktere, ilustroi mijëra vende e ngjarje. Sot ajo mbetet burim i rëndësishëm studimi për të kuptuar historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve të 70 viteve të fundit.
Kinostudio “Shqipëria e Re” ka prodhuar dhe shpërndarë shumë filma shqiptarë. Më intensive ka qenë veçanërisht periudha e viteve’70 -’80 kur prodhoheshin 13-14 filma në vit.
Më pas e thyer në 1992 në Albafilm dhe e mbyllur përfundimisht në vitin 1996, la një trashëgimi prej rreth 200 filmash, shumica e të cilëve, të realizuar nën propagandën e kohës.



