
Festivali “Kabaja Myzeqare” u zhvillua për të gjashtin vit radhazi në Krutje të Lushnjës, duke rikthyer në vëmendje një prej trashëgimive më të çmuara kulturore të zonës së Myzeqesë.
Aktiviteti mblodhi banorë, artistë lokalë dhe dashamirës të traditës, të cilët shijuan muzikën popullore, veshjet tradicionale dhe vallet karakteristike që përfaqësojnë identitetin kulturor të kësaj treve.
Kabaja, simbol i muzikës autentike të Myzeqesë, u interpretua me mjeshtëri nga artistë të njohur të zonës, duke përcjellë emocione të veçanta dhe nostalgji për traditat.
Rreth 100 pjesëmarrës morën pjesë në takimin e sazeve popullore nga Lushnja, Berati, Fieri, Kuçova, Kozara, Gorreja, Divjaka, Semani, Krutja dhe Fiershegani, duke e kthyer festivalin në një festë të vërtetë të folklorit.
Sipas organizatorëve, numri i pjesëmarrësve dhe i vizitorëve rritet nga viti në vit, duke përfshirë gjithnjë e më shumë edhe brezin e ri në ruajtjen e kësaj tradite.
Bashkia e Lushnjës, përmes organizimit të këtij festivali, synon jo vetëm ta kthejë atë në një traditë të qëndrueshme, por edhe ta ruajë dhe ta transmetojë këtë pasuri kulturore te brezat e rinj.
Kabaja myzeqare njihet si një muzikë me karakter vajtues, por me kalimin e dekadave ajo është pasuruar edhe me elemente ritmike dhe festive.
Grupet artistike që interpretojnë këtë zhanër marrin pjesë rregullisht në festivale brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e kësaj trashëgimie të vyer kulturore.



