
Një avion privat që transportonte anëtarët e ekuipazhit të këngëtares P!nk u ul në aeroportin danez herët të martën dhe shpërtheu në flakë, por të gjithë shpëtuan të padëmtuar, tha promovuesi i koncertit “Live Nation Norway”.
Këngëtarja amerikane, e cila po përgatitet për të dhënë një koncert në qytetin danez të Horsens natën e së mërkurës, nuk ishte në aeroplan.
Avioni kthehej nga kryeqyteti norvegjez, ku ajo performoi të hënën në mbrëmje.
P!nk është e njohur për këngët pop si "What About Us", "Just Give Me a Reason" dhe "Just like a pill".
Sipas policisë daneze, aeroplani vinte nga Oslo me 10 persona në bord që arritën ta linin aeroplanin pa u dëmtuar. Pasagjerët përfshinin katër amerikanë, dy australianë dhe një shtetas britanik.



