Nënshkruhet marrëveshja “Për ruajtjen e përkohshme të objekteve të sekuestruara pjesë e trashëgimisë kulturore”
Pasuritë kulturore do të kenë një status të ri falë një marrëveshjeje të nënshkruar sot mes tre institucioneve, që kanë vënë në fokus luftën kundër trafikimit të tyre.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Ministren e Kulturës, Elva Margariti dhe Ministrin e Brendshëm, Bledar Çuçi “Për ruajtjen e përkohshme të objekteve të sekuestruara pjesë e trashëgimisë kulturore”.
Në fjalën e tij, Prokurori i Përgjithshëm vlerësoi se marrëveshja dëshmon për qasjen e re të prokurorisë në drejtim të prioriteteve të luftës ndaj krimit ku përfshihet tashmë edhe trafikimi i pasurive kulturore. Ai theksoi rëndësinë e saj në drejtim të forcimit të ndërveprimit institucional, i cili do të rrisë efikasitetin e punës së institucioneve. Me vlerë do të jetë gjithashtu edhe forcimi i kapaciteteve të agjencive ligjzbatuese përmes trajnimeve në këtë fushë. Marrëveshja përcakton qartë mënyrat e bashkëpunimit mes palëve për gjurmimin, kapjen, sekuestrimin, magazinimin dhe ruajtjen e specializuar të objekteve të dyshuara “pasuri kulturore”, nga momenti i sekuestrimit të tyre e deri në përfundim të hetimeve paraprake. Prokuroria e Përgjithshme nga ana e saj, angazhohet me këtë marrëveshje, të nxjerrë të gjitha udhëzimet e duhura për rritjen e eficiencës në hetimin dhe ndjekjen penale të vjedhjes dhe trafikimit të objekteve pasuri trashëgimi kulturore dhe mënyrën e administrimit të tyre.



