
Produksioni kinematografik shqiptar, “LOVE”, me regji të Dionis Papadhimitrit, i financuar nga “Qendra Kombëtare e Kinematografisë”, ka fituar çmimin Special të Jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Bayou, të zhvilluar në Luiziana SHBA.
Gjithashtu ky film u nominua edhe në kategorinë e filmit më të mirë të festivalit.
Filmi është vlerësuar për një sërë komponentësh sikurse janë subjekti, loja e shkëlqyer e aktorëve, look-u i përdorur në film, mënyra e servirjes së fotografisë nga kamera, ndërtimi dhe puna e bërë nga regjisori në lidhje me karakteret dhe ndërlidhja e tyre me njëri tjetrin në bashkëveprim me ngjarjet dhe faktet dhe mbi të gjitha nga kritika është thënë se ngjashmëria e këtij produksioni me ato amerikane është jashtëzakonisht e madhe për nga mënyra si janë konceptuar dhe servirur.
Juria dhe kritika e këtij festivali prestigjioz ka dal me një përkufizim për filmin duke thënë që “We are in love with LOVE”, “Jemi dashuruar me filmin LOVE”.
Subjekti në thelb që në planet dhe dialogjet e para të shfaqura ngre një pyetje. Dashuria, çfarë është? Përgjigja vjen më pas gjatë filmit në gojën e personazheve, që është një pranverë pa fund dhe një vjeshtë pa mbarim për të treguar që në ndjenjën e dashurisë përfshihen në mënyrë simbolike stinët dhe për të treguar atë që përjetojnë të gjithë njerëzit teksa dashurohen.
E rëndësishme që të gjithë ne në fund të marrim prej dashurisë sa më shumë por duke lënë mënjanë dhe tejkaluar dramat në një raport.
Kjo është edhe thelbi i idesë dhe mesazhit kryesor që vjen në këtë film me mjeshtëri nga regjisori Dionis Papadhimitri, skenari Irvin Mucaj dhe Dionis Papadhimitrit, drejtori i fotografisë mjeshtrit Spartak Papadhimitri, por edhe me lojën e shkëlqyer akroriale të aktorëve si Genti Kame, Olta Gixhari, Rozi Kostani, Dentian Zenelaj, Gent Hazizi, Luli Bitri, Herion Mustafaraj etj.





