Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit solli mbrmë për publikun shqiptar koncertin “Mozart & Beethoven”, një mbrëmje ku u përjetua fuqia e dy gjenive të muzikës klasike.
Repertori nisi me veprat e ndriçuara dhe elegante të Wolfgang Amadeus Mozart dhe përfundoi me harmonitë e qeta, pastorale të Ludwig van Beethoven.
Nën dirigjimin e maestro Peter Michael Garst, skena e Teatrit u shndërrua në një hapësirë ku u bashkuan dy epoka, dy stile dhe dy vizione të mëdha muzikore.
Interpretimi i tij solli një ekuilibër të veçantë midis delikatesës së Mozartit dhe fuqisë lirike të Beethoven-it, duke e bërë mbrëmjen një përvojë të paharrueshme për publikun.
Audienca u zhyt në tingujt e muzikës, duke ndjerë delikatesën e Mozartit dhe qetësinë e harmonive të Beethoven-it. Çdo notë dukej se fliste drejtpërdrejt në zemrat e të pranishmëve, dhe duartrokitjet e gjata pas secilës pjesë shprehën emocionin e përbashkët që mbizotëroi në sallë.
Dirigjenti Peter Michael Garst u lind në Worms, Gjermani, dhe ka shërbyer si dirigjent kori, dirigjent skenik dhe drejtor kori në Teatrin e Operës së Zyrihut si dhe shfaqje dhe opera simfonike në teatro të njohura të Gjermanisë, Austrisë, Italisë dhe Spanjës.
Repertori i tij përfshin muzikën klasike, operën, simfonitë, operetat, muzikalet dhe baletin.



