Gazeta e parë që doli në gjuhën shqipe në vilajetin e Kosovës ishte “Shkupi”, e botuar me 29 gusht 1911, e cila konsiderohej edhe si botim i parë periodik në gjuhën shqipe në Kosovë.
Në kohën e kryengritjeve shqiptare për çlirim nga Turqia, në Shkup, që ishte qendra e Vilajetit të Kosovës filloi botimi i gazetës “Shkupi”, të cilën e drejtoi shkrimtari dhe publicisti, Jashar Erebara.
Gazeta mbrojti luftën e drejtë të shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Jashari kishte origjinë nga krahina e Llapit ndërsa lindi në Dibër në vitin 1873. U shkollua në Shkup dhe në Bukuresht. Ishte pronar i gazetës “Albania” botuar me shkronja cirilike, në Beograd dhe i gazetës “Shkupi” etj.
Në të do të botoheshin materiale të shumta me tematikë politike, shoqërore, kulturore dhe letrare.
Gazeta që doli në gjuhën shqipe e turqishte, u vu në shërbim të aspiratave demokratike të Lëvizjes Kombëtare për autonomi politike dhe për çlirimin e plotë nga zgjedha pesëqind vjeçare e shtetit osman. Meritë të jashtëzakonshme, kjo gazetë ka dhe për faktin se edhe materialet e karakterit letrar, kishin karakter arsimor dhe kishin përmbajtje demokratike- patriotike, prandaj autorët e këtyre shkrimeve për arsye të caktuara të ndëshkimit eventual, nënshkruheshin me pseudonime.



