Gojëdhënat tregojnë se Hyksos, një grup misterioz pushtuesish të huaj, pushtuan Deltën e Nilit rreth vitit 1638 para Krishtit. Ata mbetën në pushtet për 108 vite, deri në vitin 1530 para Krishtit. Por nëse të dhënat e shkruara për këtë janë pak, arkeologët modernë kanë gjetur disa shenja materiale të fushatës antike ushtarake.
Hulumtimet e reja i japin peshë një teorie alternative mbi origjinën e Hyksos. Siç raporton Colin Barras për revistën “Science”, analiza kimike e skeleteve të gjetura në kryeqendrën e këtij grupi, Avaris, tregon se banorët e Levantit - një zonë që përfshin vendet përreth Mesdheut lindor - emigruan në Egjipt shekuj para pushtimit. Dinastia Hyksos, me siguri, ishte rezultat i një kryengritjeje të emigrantëve dhe jo e një pushtimi armiqësor të jashtëm.
Gjetjet e studimit të botuar në revistën PLOS One, përqendrohen në variacionet e izotopeve të stronciumit të pranishme në smaltin e dhëmbëve të 75 skeleteve. “Strontiumi, një metal i padëmshëm që gjendet në ujë, tokë dhe shkëmbinj, hyn në trup kryesisht përmes ushqimit. Krahasimi i raporteve të izotopit që gjenden në smalt, i cili formohet midis moshës 3 dhe 8 vjeç, me banorët e një rajoni të veçantë, mund t’i ndihmojë shkencëtarët të përcaktojnë nëse një individ është rritur atje apo jo, pasi nivelet"ndryshojnë nga një vend në tjetrin", shkruan Ariel David për “Haaretz”.
Rreth gjysma e skeleteve u varrosën 350 vjet para se Hyksos të merrte drejtimin e krahinës; pjesa tjetër u varros gjatë mbretërimit të dinastisë. Studiuesit zbuluan se 24 prej skeleteve para vitit 1638 ishin të lindur jashtë kësaj zonë, gjë që tregon një imigrim të rëndësishëm përpara pushtimit të supozuar.
Studiuesit thonë se Avaris ka qenë një qytet ndërkombëtar.
Gjetje të tjera arkitekturore tregojnë diversitetin kulturor të Hyskos-ve. Arti i lashtësisë i paraqet ata me veshje me ngjyra të ndryshme nga veshjet tradicionale egjiptiane,ndërsa të dhëna të tjera tregojnë se ata kishin emra të ngjashëm me ata të Azisë jugperëndimore.
Edhe mënyra e varrimit ndryshon. Elementë të veçantë tregojnë se varri i përket dikujt me status shumë të lartë. Analizat kimike tregojnë se të huajt e varrosur aty ishin kryesisht gra. Kjo i ka nxitur studiuesit të hamendësojnë se sunduesit vendas martoheshin me gra nga Azia Perëndimore, për të forcuar aleancat. Nivelet e stroniumit në dhëmbët e individëve të rritur jashtë Egjiptit janë shumë të ndryshme, gjë që lë të kuptohet se shumë njerëz kanë emigruar në atë zonë nga vende të tjera.
Studiuesit mendojnë se pjesëtarë të komunitetit të emigrantëve në Avaris erdhën në pushtet gjatë trazirave të Periudhës së Dytë të Ndërmjetme. Pasi qeverisën Egjiptin verior për më shumë se 100 vjet, ata u rrëzuan nga pushteti, pas rikthimit të faraonëve. Kjo është një hipotezë e hedhur edhe më parë. Historianët kanë spekuluar se kur faraonët rimorën kontrollin e territorit, ata i internuan sundimtarët Hyksos në Azinë Jugperëndimore - një veprim që mund të ketë frymëzuar historinë biblike të Eksodit.
Sundimi i Hyksos përmendet pak. Një nga burimet më të hershme që përshkruan dinastinë daton në shekullin e tretë para Krishtit, kur një prift me emrin Manetho shkroi historinë një histori përmbledhëse të Egjiptit. Puna e Manethos u transkriptua më vonë në fragmente nga një historian tjetër, Josephus. Shkruar shumë kohë pas mbretërimit të Hyksosve, kjo histori pretendon se pushtuesit sollën një ushtri “duke u futur nga verilindja dhe duke pushtuar Deltën verilindore të Nilit”.
Historia e priftit Manetho mund të ketë vepruar si propagandë që mbështeti planin e Egjiptit për të pushtuar Levantin nën Mbretërinë e Re ekspansioniste.
"Pushtimi Hyksosve u paraqit si një turp që duhej të mos përsëritej", thotë Daphna Ben-Tor, ish-kuratorja e arkeologjisë egjiptiane në Muzeun e Izraelit në Jeruzalem. "Hyksos ishin miëshërimi i djallit, ndërsa mbreti egjiptian ishte shpëtimtari i botës". / Smithsonian Magazine / Përktheu: Gazmira Sokoli /



