
Në ambientet e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit është çelur sot ekspozita “45 vjet nga ekzekutimi i poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka”.
Me mbështetjen e familjarëve, Bedri Blloshmi i cili vuri në dispozicion të ekspozitës sendet origjinale, të ruajtura nga i vëllai, Vilsoni, si dhe dokumente të përndjekjes, ekspozita tërhoqi vëmendjen edhe për shkak të peshës historike që kishte paraqitja për herë të parë i plumbit të zbuluar gjatë procesit të zhvarrimit të dy poetëve.
Sipas Armanda Hysa, nëndrejtore e ISKK, e cila bëri një paraqitje të dokumenteve dhe sendeve të ekspozuara, tha se kjo ekspozitë vjen në mënyrë simbolike në kohën e duhur, vendin e duhur duke dëshmuar për brezat një rast unik të procesit të përndjekjes, se si strukturat e shtetit, dhe gjithë mekanizmat e sigurimit prodhuan një ngjarje false, për të çuar në ekzekutim dy intelektualë të pafajshëm.
Ndërsa, nga ana e tij, Bedri Blloshmi bëri apel se ende shteti nuk ka arritur të bëjë sa duhet për gjetjen e trupave të zhdukur nga regjimi komunist.
Ekspozita e hapur në hollin e godinës së ISKK, do të qëndrojë e hapur deri të premten, nga ora 8.00-19.00.



