Gjyqi i pazakontë për diktatorin e vdekur

Gjyqi i pazakontë për diktatorin e vdekur

O ju të vdekur dhe të gjallë! Tani s’ka asnjë kuptim rebelimi juaj kundër ish-prijësit tuaj despot; asnjë nga harqet tuaja vrastare nuk e arrin dot të ndalojë varrin e tjetrit, sepse ai s’është më ai. Hakmarrja juaj është e verbër”.  Diktatori nuk është më në këtë botë e megjithatë prirja për t’i bërë atij një gjyq në mungesë fizike është aq e bujshme sa dhe veprat kobzeza të diktaturës. Shkrimtari Pirro Loli në romanin e tij më të fundit “Avokati i diktatorit” zbret në botën nëndheshme, ku Hadi i Madh dhe të vdekurit do japin vendimin e gjyqit për bëmat e tij. Se cili do të jetë avokati mbrojtës, vendimi, dhe pse diktatori nuk shfaqet asnjëherë në këto senca, studiuesi i rrefen në një intervistë për “TvT”.

Diktatorit i bëhet gjyqi në botën e të vdekurve, si lindi ideja e një romani të tillë?

Ideja e parë lindi nga shqiptimi i një një fjale nga një person i rastësishëm:

“...Ne të gjallët, nuk ishim të zotët t’ia bënim gjyqin diktatorit tonë, shpresoj t’ia bëjnë të vdekurit tanë. Ata e njohën më mirë...”

Këto fjalë krejt rastësore u bënë pika fillestare e përfytyrimeve të mia, natën në gjumë; ishte një ëndërr e gjatë, shumë e gjatë që, dhe kur më harronte, e kërkoja vetë, deri sa më zhyti e më përthithi  plotësisht katakombeve të Hadit. Tridhjet e pesë vjet e mbajta brenda vetes. Dhe akoma nuk e di, zbrita vetë me dëshirë, apo më thirrën të vdekurit. Kjo ide më kishte pushtuar. Atje poshtë varreve më bëhej se ngrihej një erë e trazuar vjeshte. Dhe lëngu i mjegullave ishte i trashë. Nuk isha i kthjellët, të zbrisja si i vdekur apo si i gjallë?... Dhe yjet e ftohtë këputeshin të habitur. Në fillim, para se të vendosja të shkruaja faqen e parë të romanit, kisha një ankth në gjoks dhe sikur nuk ngopesha me frymë. Isha ngopur me detajet e kësaj ëndrre dhe terri i natës nuk po më duket aq i tmerrshëm; nuk u trembem as honeve të pafund dhe lumenjve të zinj që shkasin pranë meje si gjarpërinj që, në fillim, më zgjonin të mbuluar me djersë.  Më kot e mundoja veten. Metafora nuk gjykohet. As imagjinata personale. E dija se një vepër arti më tepër se reale është metaforike; është jo fizike, është gjendje e qenies më tepër se një dije e saj. Ky libër është dhe një eksperiment për të realizuar të pamundurën. Shtoj se kur diktatorin e gjykojnë të vdekurit, po të gjallët, ç’duhet të bëjnë? Është gjithashtu dhe një stad i përvojës artistike, para se të jetë një moral a këshillë. Lexuesi është koncept tjetër.

Diku keni shkruar se shkrimtari ka dy biografi, atë të zakonshmen (bio) dhe veprën, ku theksoni se për ju, kjo e dyta ka rëndësi dhe ia vlen të lexohet. Mund të na thoni diçka më shumë rreth këtij perceptimi tuajin?

Po, por si e tillë, pra dhe ti, është shumë e vështirë të realizohesh lartësive. Më kujtohet gabimi im i parë, kur botova librin e parë me tregime, atëherë m’u duk vetja shkrimtar. Tani pas dhjetëra vitesh, pas botimeve të shumta në poezi, romane dhe eseistikë, nuk e mbush dot gojën, a jam poet, shkrimtar, apo eseist? Hija e shkrimtarit është një farë mashtrimi për të gjithë krijuesit, prandaj duhet shmangur hija e mëngjesit dhe darkës kur të gjithë përballen me irealitetin e vetvetes. Shkrimtari duhet të kuptojë se një vepër arti është diçka natyrale në ngjizjen e saj, jo fizike, është gjendje e qenies më tepër se një dije  e saj, një proces përvojash më tepër se një këshillë, moral apo argument.

Romani “Avokati i diktatorit” (2020) që në kopertinë dhe në mjediset ku zhvillohen ngjarjet duket sikur është shkruar me të zezën e natës, pse një zgjedhje e tillë?

Ështe e vërtetë dhe e natyrshme sepse ngjarjet zhvillohen në nëntokë, në perandorinë e vdekjes. I gjithë romani në çdo qelizë të veprës sipas rolit të personazheve ose gjendjes funksionale janë të regjistruar në një shirit filmi zhytur në lëngun e natës. Kjo natë e gjatë, me një konflikt të mprehtë, të pandodhur në asnjë vepër letrare, priti dhjetëra vjet të agonte, të lahej pak nga pak; të ndriçohej me dritën e eshtrave në laboratorin krijues. Që të vdekurit të shihnin njëri-tjetrin. Ata qenë rebeluar deri te Hadi i madh dhe kishin arritur të siguronin hapjen e një gjyqi (post mortem) kundër diktatorit të sapovdekur. Nuk pranonin që ai, vrasësi i tyre, të prehej në paqe bashkë me ta. Ishte e para herë që dheu u drodh dhe kockat e të vdekurve lëvizën varresh, të revoltuar. Larja e filmit të zi, me dritën e eshtrave të tyre, hap pas hapi shpalos ngjarje tronditëse që i ka mbuluar balta. Autori ka zbritur midis tyre në trojet e Hadit. Me një rol të pabesueshëm.

Si u përshtatët me atë dekor që vjen befasues dhe gati i pabesueshëm edhe për publikun?

Metafora dhe simboli nuk kanë nevojë të vërtetohen. Pa kuptuar, dhe vetë, pak nga pak, pas çdo nate me një hënë të zbehtë në ballë dhe me dritën e eshtrave të tyre në tokë, pas seancave gjyqësore, po ndërtoja një hartë të re, “larg logjikës”. Është pasqyra e hartës së botës së gjallë, kthyer përmbys me rolin e diktatorëve, në kohën pa kohë, në raport me të gjithë njerëzit, dhe dramat, dashurinë dhe urrejtjen, pemët, lulet e zogjtë… Metafora ka fshirë kufijtë fizikë e metafizikë. Tokës dhe qiellit. Këtu mbillet trupi për të bulëzuar shpirti. Të gjitha elementet e ngjizjes së romanit përbëjnë një metaforë komplekse. Absurdi i saj nuk futet në histori, për më tepër, ajo sajon gjendjen e një lënde që përpunohet nëpër duar, drejt një gjyqi pa fund e pa vendim. Mesazhet janë në ajër dhe autori thërret lexuesin për bashkëpunim si dëshmi dhe zbulimin e një të vërtete të përgjakshme mbuluar me baltë. Terri shpesh është më i errët midis të gjallëve.

Si realizohen personazhet? Ata shfaqen si një turmë amorfe e papersonifikuar dhe duket sikur shprehin një dëshirë fiktive. Ç‘peshë mbajnë dëshmitë dhe a përballen me diktatorin?

E thashë, metafora dhe simboli nuk gjykohen, ata janë gjithnjë të vërtetë në ndërtimin e godinës letrare. Këtu secili nga dëshmitarët pohon vdekjen e vet shkaktuar me gjithfarë mënyrash të dhunshme; secili pozon vetveten, dramën e vet origjinale. Dëshmitë vetëm shpallen, nuk gjykohen. Vendimi dhe dënimi nuk i takon as autorit, as gjykatës speciale. Vendimi  i takon lexuesit. Një vepër duhet të gjykohet si është shkruar, jo përse është shkruar. Duke njohur dhunën dhe krimin, tek secili realizohet “dënimi”pa u shpallur në skenë diktatori vrasës.

Diktatori nuk del në seancat gjyqësore. Si përballohet në roman hakmarrja dhe në ç’mënyrë...

Këtë e përfaqëson, një tjetër edhe më i egër e gjakatar se ai, është një personazh bazal krejt i veçantë (“alter egoja”) e diktatorit - një kufomë trupmadhe dhe e patretur. Të vdesësh e të mos tretesh do të thotë se ke dënimin më të madh hyjnor. Tek kjo kufomë shtohen misteret në historinë e vrasjeve nga të huajt që jo vetëm kanë përgatitur diktatorin tonë për pushtet absolut, por kanë komanduar edhe vrasjet e mëdha. Kufoma mbuluar me mish të kalbur, bie erë të rëndë vdekjeje tejpërtej varrezës. Kjo kufomë ka marrë dënimin kapital me kusht që të pendohej dhe të kërkonte ndjesë, përndryshe nuk do të tretet e do vuajë dhe në jetën tjetër rëndesën dhe dhimbjen e mishit dhe të një shpirti mëkatar. Unë e pres atë ditë. Nëse lexuesi i sheh dhe i ndriçon këto ngjarje me dritat metaforike të të vdekurve të tij, ai do të gjejë rrethanat e vetvetes. Ngjarjet nuk janë të natës, por të ditës, Hadi është vetëm mjedis i trishtë, gjetje artistike. Shpresoj që lexuesi deri në faqen e fundit të shikojë se si drama e njeriut si individ, zgjatet deri në një dramë të thellë shoqërore e kombëtare. (Diktatori vazhdon të na vrasë edhe pas vdekjes). Çdo turmë është amorfe, e zhumshme që një dorë e fshehtë, e ka organizuar në mitingje e antimitingje. Turma e të vdekurve, si çdo turmë, nuk është e unifikuar. Në të gjenden të gjitha antipodet, veset dhe virtutet e njeriut. Turmën, veçanërisht e dëmton mosmarrëveshja dhe sherret;  ballafaqimi me krimin, shkakton urrejtje kaotike dhe hakmarrje të pakomanduara.

A mund ta quajmë këtë roman si një vepër ku ballafaqohen hakmarrja dhe urrejtja e paverifikuar e viktimave për revansh?

Bateria kryesore e romanit shkarkohet kundër urrejtjes, hakmarrjes dhe revanshit. Kjo kërkon forcë shpirtërore, energji shpirtërore. Hakmarrja dhe urrejtja janë dukuri njerëzore për të frenuar vetveten. Jam munduar ta realizoj këtë me një metaforë dyzimi që e rimarr gradualisht deri në fund të romanit. Erida, hyjnesha e hakmarrjes,  është pjesa ime më e keqe. Jo të gjithë e dinë se ajo është gjysma ime. E pashmangshmja. Jemi dy gjysma të veçuara e të kundërta. As hija ime nuk desha të ishte, po ajo vazhdonte të më diktonte dhe të më kërcënonte. Ajo i kishte të fshehta kthetrat. Kurrë nuk hoqi dorë nga inati, hakmarrja dhe sherret  duke ndërhyrë brutalisht deri në ëndrrat e mia. Kjo na ndau përfundimisht. Dhe brenda meje mbeti si njollë e izoluar, si një tumor i zi i frikshëm. Ndaj dhe unë e flaka si tumor.

Mos avokati kërkon të mbrojë vetveten me këtë gjyq? Jeni edhe ju ai poeti që flitet se ka sharë popullin e që ka shërbyer në oborret  e prijësve në 500 vitet e fundit?

Po, por tani nuk ekziston diktatori por një i vdekur i barabartë me të gjithë. Këtu merr kthesën romani. Ç’duhet të bëjmë me kufomën e diktatorit.

Duket sikur ky është një roman krejtësisht fiksion?

Është dhe realist. Realist sepse është imagjinar. Në letërsi, metafora bëhet më e besueshme se realja. Nuk duhet të çuditemi me këtë. Imagjinata e largon shkrimtarin nga arti i përvojave të njohura dhe i drejtohet nocionit të artit si një art i një eksperience personale thellësisht estetike. Është imagjinata ajo që krijon situata për një efekt hipnotik e magjepsës mbi lexuesin. Provokon ndjenja të paprovuara e të papara. Gjendja e veçantë mund të jetë mister, frikë, gabim, tmerr, ankth, habi, neveri, pra, pra çfarëdo efektesh të panjohura, jo reale, jo prekëse, sfidë ndaj logjikës,dhe bashkëkohësisë. Trajtimi i tillë shtjelluar figurativisht ka guximin të rrëzojë tabutë dhe artin e njohur tradicional. Prekja e një sendi (këtu e gjithë veprimtaria dhunuese e diktatorit) me imagjinatë, e ngjall, e shndërron gjithçka që prek në sfidë të shqisave, por dhe në “Tjetrën e panjohur”. Kjo do të thotë, “të krijosh vetveten”.

Lexuesi, i provokuar tashmë me të pabesueshmen, kërkon një zgjidhje, një fund. Mund të na qartësoni mbi vendimin që u mor në gjyq?

Të gjithë kapitujt e romanit synojnë një vendim, si në çdo gjyq. Por vendimi i pritur nuk vjen. Kështu në mungesë loja bëhet në tërheqëse. Le t’ia lëmë lexuesit vendimin. Në fakt përgatiten katër projekt-vendime dhe Hadi i Madh aprovon një tjetër të pa imagjinueshëm. Autori diçka na thotë në një epilog të shkurtër. Duke e shtyrë atë që pritej në një të ardhme pa të ardhme.

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy