Në Shtëpinë-Studio Kadare u çel mbrëmë ekspozita e titulluar “Kadare -Dorëshkrime dhe letërkëmbime të panjohura” nën praninë e personaliteteve të jetës kulturore si dhe miq e adhurues të shkrimtarit të madh.

Vizitorët e kësaj ekspozite do të mund të shohin dorëshkrime të veprave themelore të shkrimtarit, e gjithashtu letra me peshë për historinë e kulturës shqiptare.
Mes dorëshkrimeve të shumta, kjo ekspozitë përmban edhe një letër që nobelisti Günter Grass (Nobelist në letërsi 1999), i drejtonte Ismail Kadaresë që në vitin 1987, duke i shkruar në emër të Akademie der Künste (Akademia e Arteve në Berlin, themeluar në vitin 1696).
Në atë letër Grass i kërkonte Kadaresë të merrte pjesë në Takimin e Artistëve Evropianë, në Amsterdam.
Ekspozita zbulon të tjera kuriozitete nga jeta e kolosit të letrave shqipe.
Ajo do të jetë e hapur përgjatë muajve janar dhe shkurt.



