
Teatri i Operas dhe Baletit do të sjellë këtë janar gjurmët e kompozitorëve të mirënjohur botërorë të muzikës klasike.
Kalendari artistik i këtij fillimviti parashikon katwr premiera në koncerte simfonike, 5 solistë në violinë, piano, flaut e violonçel dhe kryeveprat klasike të Mozart-it Tchaikovsky-t, Prokofiev-it, Shostakovich-it, etj.
Në datën 10 janar publikut do t’i ofrohet koncerti i Orkestrës Simfonike të TKOB, i titulluar “Not’te da Oscar” me pjesëmarrjen e violinistit Ettore Pellegrino.
Me kolonat zanore të sagës “Star Wars”, “Harry Potter”, “Schindler's List”, “Superman”, “Home Alone”, “Pirates of the Caribbean” dhe shumë të tjerëve, për herë të parë në Shqipëri, orkestra simfonike e TKOB-së, dirigjuar nga Giovanni Pompeo dhe ndjekur nga solisti në violinë, Ettore Pellegrino, sjell për artdashësit tanë koncertin simfonik me krijimtarinë e ikonës së kulturës muzikore amerikane, John Williams.
Në 14 janar, “Klasikët në Opera” i sjell flautistja Enalda Gjoni dhe pianistja Etrita Ibrahimi, nën dirigjimin e Dritan Lumshit.
“Një natë ëndrrash” do të jetë ajo e datës 21 janar, me koncertit simfonik vokal, ku do të interpretojnë sopranoja Ripatta Bufo dhe mezzosopranoja Vikena Kamenica, të shoqëruara nga Orkestra Simfonike e TKOB.
Një tjetër premierë do të jetë ajo e datës 28 janar, “Violonçeli misterioz”, me dirigjent Adriano Martinolli D’Arcy dhe solist në violonçel Petar Pejčić.



