Moderatorja e njohur Liesa Haxhiasllani, e ftuar në emisionin ‘Zgjohu me MCN’, ka rrëfyer emocionet dhe sfidat e saj si nënë, si dhe arsyet pse vendosi të qëndrojë larg ekranit pas krijimit të familjes.
Ajo u shpreh se mëmësia e ka ndryshuar tërësisht jetën e saj.
Jeta ndryshon 100% kur bëhesh nënë, nuk je më i njëjti person. Mendon gjithmonë vetëm për fëmijën, gjithçka rrotullohet rreth saj. Jetën private kam dashur ta mbaj larg syrit publik. Kur krijova familjen vendosa t’i përkushtohem asaj dhe të qëndroja larg medias. Edhe pse më mungon herë pas here ekrani, vajza më ka plotësuar.
Ajo shtoi se nuk e përjashton mundësinë e rikthimit në televizion nëse do të vijë një projekt i përshtatshëm për të. Aktualisht, pjesën më të madhe të kohës ia kushton vajzës së saj, ndërsa bashkëshorti kujdeset për të voglën pasi kthehet nga puna. Madje, fjala e parë e Sias ka qenë “ba”.
Duke folur për periudhën e shtatzënisë, moderatorja tregoi se ka kaluar një kohë të qetë, mes emocioneve dhe pikëpyetjeve të zakonshme që shoqërojnë çdo nënë të re.
Pyet veten nëse do të jesh një nënë e mirë, por gjërat vijnë natyrshëm.
Haxhiasllani ndau edhe detaje nga miqësia e saj me moderatoren Kiara Tito, duke theksuar se marrëdhënia e tyre është forcuar edhe më shumë pas ardhjes në jetë të vajzave.
Me Kiarën kemi shoqëri prej vitesh, jemi shoqe të ngushta dhe tani mëmësia na ka lidhur edhe më shumë. Flasim për vajzat tona, të cilat kalojnë kohë bashkë. Kemi një miqësi të bukur.



