
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi sot një takim me homologun e saj nga Kosova, Hajrulla Çeku.
Ministrja Margariti bëri të ditur se në gjatë takimit u diskutua mbi rritjen e bashkëpunimit dypalësh.
“U vijua me bisedimet që nisëm në Prishtinë për më shumë bashkëpunime mes institucioneve tona dhe artistëve këtej e andej kufirit, në fushën e librit, operistikës, arteve pamore”, tha Margariti.
Shqipëria dhe Kosova do të thellojnë bashkëpunimin në fushat e artit skenik, arteve pamore, bibliotekave, filmit dhe trashëgimisë kulturore, kanë bërë të ditur dy ministrat përkatës.
Poashtu sot, ministri i Kulturës së Kosovës, Hajrulla Çeku, mori pjesë në konferencën e organizuar në kuadër të 40-vjetorit të Muzeut Historik Kombëtar.
Ministri Çeku, kërkoi thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve, për të ruajtur identitetin kulturor.
“Vlerat, pasuria kulturore artistike, trashëgimia, potenciali që kemi në dy shtetet tona flet mjaft për edhe për rëndësinë që duhet ti japim mbrojtjes dhe promovimit të identitetit kulturor e historik të bashkëpunimit të ndërsjellë mes nesh. Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë në këto fusha është i pashmangshëm dhe duhet të thellohet më shumë.”
Nga ana e tij drejtori i Muzeut, Dorian Koçi, u shpreh se duhet bërë më shumë për të lidhur muzeun shqiptar me ata fqinj.
“Këto 40 vjet Muzeu Historik Kombëtar në bazë të ligjit për trashëgiminë kulturore, të vitit 2017 zotëron përkatësinë kryesore në udhëheqjen e një procesi të rëndësishëm në ndërtimin e një rrjeti muzeor kombëtar në bashkëpunim të ngushtë me muzeumet e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe do të bëjmë të mundur mbrojtjen, restaurimin, studimin e trashëgimisë tonë kulturore.”



