
Robert De Niro, i konsideruar si një nga interpretuesit më të mirë të brezit të tij, u nderua të dielën me çmimin e karrierës dhe shfrytëzoi rastin për t’iu drejtuar presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Dy herë fitues i çmimit “Oscar” dhe gjithashtu i emëruar për filmin “The Irishman” me po këtë çmim, ylli i kinematografisë amerikane dhe botërore mori çmimin e karrierës nga Shoqata e Aktorëve të Ekranit (Screen Actors Guild - SAG), për 50 vjet kontribut në ekran me filma të shumëvlerësuar nga kritika dhe publiku, si: "The Deer Hunter", "Raging Bull”, “The Godfather: Part II”, “Meet the Parents”, “Silver Linings Playbook” etj.
Duke u futur në skenë, i shoqëruar me ovacione nga publiku, De Niro i dha një goditje tjetër presidentit Trump, pa e përmendur atë me emër, pasi presidenti përballet me një gjyq në Senat këtë javë me akuza të fajësimit të abuzimit të pushtetit dhe pengimi i Kongresit.
"Ekziston e drejta dhe e gabuara, ekziston sensi i logjikës dhe abuzimi i pushtetit, dhe si qytetar kam po aq të drejtë sa kushdo tjetër ...të shpreh mendimin tim. Dhe nëse kam një zë më të dëgjueshëm për shkak të situatës sime, unë do të përdor atë sa herë që shoh një abuzim të ashpër të pushtetit. Dhe kjo është gjithçka që unë do të them për sonte", u shpreh aktori 76-vjeçar me më shumë se 100 filma të realizuar gjatë karrierës së tij. Edhe pse është i njohur për sjelljen e tij shpesh të heshtur në paraqitjet publike, ndërsa ruan rreptësisht jetën e tij private, De Niro është shfaqur si një nga kritikët më të zëshëm të Trump jashtë qarqeve politike.
Çmimi iu dorëzua nga aktori Leonardo di Caprio. /Reuters/



