“Vallja e Ngjalës” dhe “Vallja Dyshe Myzeqare” janë shpallur vlera kombëtare të trashëgimisë kulturore jomateriale.
Pas aplikimit të bërë nga Bashkia e Lushnjës, këto dy valle arritën të marrin këtë status, i cili i hap rrugën edhe aplikimit për përfshirje në listat e UNESCO-s.
Ndër kriteret kryesore që u morën në konsideratë janë vjetërsia e valleve, identiteti kulturor dhe rëndësia e tyre shoqërore.
Sipas dëshmive të deritanishme, “Vallja e Ngjalës” dhe “Vallja Dyshe Myzeqare” janë krijime që kanë lindur brenda komunitetit dhe janë interpretuar tradicionalisht në festa dhe aktivitete të ndryshme popullore.
Dhënia e këtij statusi është bërë nga një grup pune në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, duke i përfshirë këto valle në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale dhe duke i përjetësuar në historinë e kulturës tradicionale shqiptare.
Sipas studiuesve, këto valle datojnë që nga periudhat e hershme arbëreshe dhe ilire dhe janë transmetuar nga brezi në brez.
Për këtë arsye, ato konsiderohen një pasuri e çmuar e identitetit kulturor shqiptar dhe një element i rëndësishëm i traditës së Myzeqesë.



