
Filmi “The Van” (Fugoni) me regji dhe skenar të regjisorit shqiptar Erenik Beqiraj konkuron në Festivalin e Kanës për Palmën e Artë në kategorinë e fimit me metrazh të shkurtër.
Një bashkëpunim shqiptaro-francez, filmi është realizuar në Shqipëri e Francë, me skenar e regji të Erenik Beqiraj dhe me aktorët Phénix Brossard, Arben Bajraktaraj, Afrim Muçaj, Lulzim Zeqja dhe është përzgjedhur në 11 filmat më të mirë ndër 4240 që u paraqitën për konkurim.
“Një i ri kërkon lirinë jashtë vendit të vet, por i duhet ta fitojë në një mënyrë jo të zakontë: Duke u ndeshur brenda një fugoni.”
Kjo është hera e parë që një regjisor shqiptar konkuron për Palmën e Artë dhe hera e tretë që Shqipëria shkon në Kanë.
Për herë të parë, Shqipëria u paraqit në Festivalin e Kanës në vitin 1952 me filmin "The Great Warrior Skanderbeg" një bashkëprodhim i Shqipërisë me ish-Bashkimin Sovjetik, me regji të Sergei Yutkevich, që fitoi "International Prize" dhe "Special Mention" për regjinë.
Në vitin 2001, filmi "Sllogans" me regji të Gjergj Xhuvanit, bashkëprodhim Shqipëri-Francë, fitoi në Kanë çmimin "Prix de la Jeunesse du film étranger".
Filmat e përzgjedhur për konkursin e Palmës së Artë për filmin e shkurtër janë nga Shqipëria, Argjentina, Franca, Finlanda, Greqia, Israeli, Ukraina, Suedia dhe ShBA-ja.



