Një nga kryeveprat më të mëdha të kompozitorit italian Gioachino Rossini, “Petite Messe Solennelle”, vjen sonte në premierë absolute, në orën 19:00, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Vepra konsiderohet një kryevepër shpirtërore e repertorit klasik, ku muzika sakrale dhe ndjeshmëria artistike ndërthuren në një gjuhë emocionale të thellë, duke reflektuar dimensionin intim dhe meditativ të kompozitorit në vitet e tij të fundit krijuese.
“Petite Messe Solennelle” mbetet një nga veprat më të veçanta të Rossinit, duke sjellë një përvojë unike artistike për publikun shqiptar.
Me solistë të mirënjohur: soprano Svetlana Aksenova, mezosoprano Enkeleida Shkoza, tenor Klodjan Kaçani dhe bas Rubén Amoretti.
Një bashkëpunim i jashtëzakonshëm me Korin e Filarmonisë së Kosovës dhe Korin e TKOBAP-së, nën drejtimin e dirigjentëve të korit Hajrullah Syla dhe Dritan Lumshi, si dhe me Orkestrën Simfonike të TKOBAP-së, të drejtuar nga maestro Facundo Agudin.
Shfaqja operistike nis në orën 19:00 në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB).



