Në laboratorin e restaurimit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar po vijon puna për restaurimin dhe konservimin e 7 veprave nga specialistët restauratore.
Ministrja e kulturës, Elva Margariti, ndau përmes rrjeteve sociale restaurimin e një ikone të rëndësishme të Muzeut të Artit Mesjetar.
Bëhet fjalë për ikonën “Krishti i Gjithpushtetshëm” (pantokrator) in 2210, me origjinë nga kisha e Shën Marisë, Stratobërdhë, Korçë.
Ikona “Krishti i Gjithpushtetshëm” është pikturuar në vitin 1761 nga Konstandin Zografi. Në të paraqitet krishti pantokrator me një himation ngjyrë të gjelbër të errët dhe hiton të kuq. Në dorën e majtë mban një ungjill të hapur dhe me dorën e djathtë bën gjestin e bekimit. Koka e Krishtit rrethohet nga një aureole e realizuar me puntim dhe kryqi me shkronjat janë pikturuar me ngjyrë të kuqe. Nënpikturimi i pjesëve të mishta është bërë me tone të errëta dhe lëkura me okra të ngrohta. Gjithë kuadri është pikturuar me mjeshtëri të lartë artistike.
Muzeu i Artit Mesjetar ka bërë të ditur se deri në përfundim të procesit të restaurimit do të plotësohet edhe me më shumë informacion mbi këtë vepër nga studiuesit e MKAM.



