Tingujt e përjetshëm të dy gjigantëve të muzikës klasike, Sergei Rachmaninoff dhe Pyotr Ilyich Tchaikovsky, do të çelin siparin e një viti magjik në TKOBAP.
Koncerti nr. 3 për piano dhe orkestër i Rachmaninoff-it, një kryevepër që do të emocionojë publikun me ndjeshmërinë dhe fuqinë dramatike, do të interpretohet nga pianisti virtuoz Giovanni Bertolazzi, i cili do të sjellë çdo notë të kësaj vepre në një udhëtim intensiv shpirtëror.
Giovanni Bertolazzi është një pianist italian, një figurë e njohur ndërkombëtarisht, i cili ka fituar shumë çmime prestigjioze dhe ka performuar me orkestrat më të njohura në botë.
Në vitin 2024, u nderua me çmimin prestigjioz “Liszt Ferenc International Grand Prix Du Disque”.
Nga ana tjetër, Simfonia nr. 5 e Tchaikovsky-t, një vepër e mbushur me pasion, trishtim dhe triumf, që përshkruan betejën e njeriut me fatin, do të vijë fuqishëm nga Orkestra Simfonike e TKOBAP-së.
Nën drejtimin mjeshtëror të dirigjentit Sergio Alapont, tingujt e Koncertit instrumentalo-simfonik “Rachmaninoff & Tchaikovsky” do të shfaqen për adhuruesit e muzikës klasike më 18 janar, nga ora 19:00.
Biletat do të jenë në shitje nga nesër pranë biletarisë së TKOBAP-së.



