
Me mbështetjen e ekipit të konservimit nga Instituti i Konservimit në Universitetin e Arteve të Aplikuara në Vjenë, krahas specialistëve të UNOPS Albania, të përfshirë në Programin #EU4Culture, po kryhen punimet më të imëta në Muzeun Etnografik të Krujës. Ekipet po punojnë për pastrimin përfundimtar, ruajtjen e objekteve dhe vendosjen e ekraneve. Sipas ministres së Kulturës, Ilva Margariti, shumë shpejt ky muze do t’i prezantohet publikut, tërësisht i rinovuar, me një koncept të ri dhe modern. "Së shpejti në Muzeun Etnografik të Krujës ekspozita të rikonceptuara do t’i zbulohen publikut nga Shqipëria dhe e gjithë bota". Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes Toptani, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764.



