Kanë nisur punimet për restaurimin dhe konservimin e Teqesë së Koshtanit, Monument Kulture i Kategorisë I dhe një nga qendrat më të rëndësishme të bektashizmit në jug të Shqipërisë.
Projekti është hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, dhe parashikon konsolidimin strukturor të objektit, restaurimin e çatisë me rrasa guri, rikuperimin e elementeve origjinale prej druri, restaurimin e dyshemeve dhe tavaneve, si dhe trajtimin e fasadave për mbrojtjen afatgjatë të monumentit.
Punimet po realizohen me financimin e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
E themeluar në vitin 1807, Teqeja e Koshtanit përfaqëson një vlerë të rëndësishme historike, kulturore dhe shpirtërore.
Në vitin 1908, në ambientet e saj u hap edhe shkolla e parë shqipe për krahinën e Tepelenë, duke e kthyer këtë monument në një pikë referimi jo vetëm për trashëgiminë fetare, por edhe për historinë e arsimit kombëtar.
Ky investim synon ruajtjen dhe promovimin e një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare për brezat e ardhshëm.



