“Arrëthyesi” sjell magjinë e festave të fundvitit në TKOB

“Arrëthyesi” sjell magjinë e festave të fundvitit në TKOB

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit solli mbrëmjen e djeshme atmosferën festive të fundvitit me baletin klasik të Krishtlindjes, “Arrëthyesin”.

Pema e Krishtlindjes, dhuratat, fëmijët e gëzuar, Mbreti dhe Mbretëresha e Dëborës, si dhe ushtria e minjve që kërcënon gëzimin e festës, u sollën në skenë përmes kryeveprës së Pjotr Iljiç Çajkovskit, duke magjepsur dhe argëtuar publikun e pranishëm në sallë.

E porositur nga Teatri Perandorak i Rusisë si një balet i Krishtlindjes, “Arrëthyesi” u krijua nën presion të madh dhe në një periudhë të errët personale për kompozitorin. Krijimin e baletit e shoqëroi një stuhi emocionale që përfundoi me një kryevepër për brezat që pasuan.

Historia merr jetë në Gjermani në prag të Krishtlindjeve. Në shtëpinë e Stahlbaum, fëmijët Klara dhe Fric marrin dhurata të sjella nga xhaxhai i tyre Drosselmeyer, përfshirë një Arrëthyes madhështor. Pasi Fric e thyen lodrën, xhaxhai i tij e riparon atë dhe ia beson Klarës.

Kur Klara bie në gjumë, ajo ëndërron një aventurë fantastike: dhoma merr jetë, minjtë përpiqen të vjedhin Arrëthyesin, por ai transformohet në një luftëtar trim dhe, me Klarën, mposht Mbretin e Minjve. Arrëthyesi më pas transformohet në një princ të pashëm dhe e çon Klarën në Mbretërinë magjike të Ëmbëlsirave, ku Zana e Sheqerit organizon një festë në nder të tyre me valle të mrekullueshme.

Në fund, Klara zgjohet e përqafuar nga Arrëthyesi i saj, duke mbajtur me vete kujtimin e një nate magjike dhe të paharrueshme.

“Arrëthyes”, për TKOB, ishte një rivënie në skenë, i përshtatshëm për familje dhe fëmijë. 

Interpretuan solistët dhe trupa e baletit, Kori i TKOB, Kori i Zërave të Bardhë si dhe Orkestra Simfonike e TKOB, nen dirigjimin e Sergio Alapont.

 Koreografia dhe koncepti ishin të Edi Blloshmit dhe kostumografia nga Edlira Qyshka.

Baleti “Arrëthyesi” në TKOB, shfaqet edhe në datat, 23, 24, 26, 27, 29 dhe 39 dhjetor, me fillim nga ora 19:00. 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy