Në Bibliotekën e qytetit të Gjirokastrës u krijua këndi arkivor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, për të qenë më afër qytetarëve dhe studiuesve. Kjo do të mundësojë që elita intelektuale e qytetit, përmes sistemeve elektronike të vendosura në dispozicion, të mund të ketë qasje në dokumentin arkivor, si të ishte në Tiranë, pa pasur nevojën e udhëtimit drejt kryeqytetit.
Qëllimi i kësaj nisme është që të nxitet kërkimi shkencor në Gjirokastër dhe të rrisë frekuentimin në bibliotekën e vet. Shërbimi për studiuesit do të ofrohet me të njëjtat rregulla, të njëjtat procedura, të njëjtën shpejtësi dhe të njëjtën formë siç ofrohet në Sallën e Studimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
Regjistrimi në Sallën e Studimit kryhet përmes internetit, jashtë këtij Këndi Arkivor, në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Pas aprovimit, që zgjat një ditë pune, aplikuesi përmes e-mailit do të pajiset me fjalëkalimin për të hyrë në Sallën e Studimit. Pasi të jetë bërë ky regjistrim, qytetari dhe studiuesi mund të porosisë dosjet që dëshiron, ta konsultojë, si në këtë Kënd Arkivor, po ashtu edhe në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Dosjet e porositura do të shërbehen ditën që është përzgjedhur nga aplikuesi në sistem dhe do të qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune.



