Këngëtari i njohur i muzikës popullore, Gëzim Nika, do të sjellë për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor koncertin recital “Me zanin e bjeshkëve”.
Kjo mbrëmje e veçantë do t’i kushtohet pasurisë së këngës popullore shqiptare, ku publiku do të përjetojë emocionin dhe fuqinë e traditës përmes zërit të artistit, i shoqëruar nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore.
Koncerti do të sjellë në skenë jehonën e bjeshkëve, tingujt autentikë të folklorit dhe energjinë e gjallë të muzikës shqiptare, duke krijuar një atmosferë festive dhe plot emocion për artdashësit.
Në këtë mbrëmje do të ngjiten në skenë edhe disa artistë të njohur të muzikës shqiptare si të ftuar specialë, mes tyre Fatmira Breçani, Aurela Gaçe, Eli Fara dhe Aranit Hoxha, të cilët do t’i japin koncertit një dimension edhe më të veçantë artistik.
Koncerti “Me zanin e bjeshkëve” do të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor më 12 mars, në orën 19:00.



