
Restaurimi i Kalasë së Prezës, një prej monumenteve më të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019, sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, po vazhdon me kujdes të veçantë, për shkak se ka një shkallë vështirësie të konsiderueshme.
Lajmin e ka bërë ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, përmes faqes zyrtare të minsitrisë, ku thekson se aktualisht specialistët po punojnë për fugatimin e mureve fortifikuese të kalasë.
“Restaurimi i kullave të Prezës ka një shkallë vështirësie të konsiderueshme. Prej muajsh arkitektët dhe specialistët e CHëB Albania po punojnë për të trajtuar të gjitha dëmtimet në kullën e sahatit, kullën rrethore dhe murin fortifikues, për të arritur stabilizimin dhe përforcimin e strukturave. Aktualisht po punohet për fugatimin e mureve fortifikuese të kalasë për ta përforcuar atë e duke siguruar trashëgimin e saj brez pas brezi”, shprehet Margariti.
Kalaja e Prezës është një kala tipike mesjetare. Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb i cili zgjatet duke u ulur në drejtim të veri-jugut.
Ana lindore e kalasë është e mbrojtur nga vetë terreni, kurse ana perëndimore përbën një territor të sheshtë, e përforcuar nëpër qoshet e saja me katër kulla që kanë planimetri rrethore.




