
Dy vjet më parë, “Salvador Mundi” u shit nga shtëpia e ankandeve Christie’s për shifrën stratosferike prej 450 milionë dollarësh. “Shpëtimtari i botës”, piktura që paraqet Jezu Krishtin dhe që besohej se mbante firmën e Leonardo da Vinçit, u bë kështu piktura më e shtrenjtë e botës.
Christie’s konfirmoi pas shitjes se blerësi ishte princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman. Por mesa duket, ai nuk ka bërë një pazar me leverdi.
Të paktën sipas Carmen Bambach, një nga ekspertet më të njohura të veprës së mjeshtrit të madh. Bambach i ka thënë gazetës “The Guardian” se piktura që vendosi rekord për çmimin në të vërtetë nuk është e Da Vinçit. Ajo thotë se vepra është punuar nga Giovani Antonio Boltraffio, një asistent i Leonardos. Ndërsa ky i fundit ka bërë disa ndërhyrje të vogla.
Bambach,kuratore në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju-Jork, e ngre këtë pretendim në një studim me katër vëllime për punën e Leonardos, që do të dalë në qarkullim në SHBA, më 25 qershor. Ajo bazohet në faktorë të ndryshëm, duke përfshirë atë që e ka parë pikturën gjatë restaurimit të fundit në vitin 2007: "E di sa e dëmtuar ishte", thotë historiania e artit.
Sipas burimeve të shtypit në vitin 2017, “Salvator Mundi” u ble nga princi saudit Badr bin Abdullah në emër të trashëgimtarit të fronit dhe njeriut më të pushtetshëm të Riadit, Mohammed bin Salman, me qëllim që ta bënte atë pjesë kryesore të “binjakut” të muzeut të Luvrit, në Abu Dhabi. Që atëherë, megjithatë, gjurmët e pikturës kanë humbur. Javën e kaluar, “The Guardian” zbuloi se piktura nuk do të ekspozohet as në muzeun e Luvrit në Paris për ekspozitën e madhe për nder të 500-vjetorit të Leonardos, e planifikuar në vjeshtë. Në këtë mënyrë edhe kuratorët e muzeut francez duket se janë pajtuar që piktura nuk mban autorësinë e Leonardos. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



