Festivali Teatror “HAPAT” rikthehet për të tretin vit radhazi, duke shndërruar Tiranën në qendrën kryesore të teatrit të të rinjve.
Ky festival, organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Teatri Kombëtar Eksperimental Kujtim Spahivogli” është një platformë unike që promovon skenën e pavarur artistike dhe fuqizon zërin e krijuesve dhe interpretuesve të rinj nga i gjithë vendi.
Këtë vit, në skenat e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” (TKEKS), Teatrit Metropol, dhe sallës Black Box të Universitetit të Arteve, do të prezantohen 11 produksionet më të mira të Fondit të Teatrit për të Rinj.
Në 66 shfaqje të shtira në 7 rrethe të vendit janë angazhuar rreth 80 krijues dhe interpretues të moshës 20-35 vjeç.
Krijuesit dhe interpretuesit e rinj kanë punuar dhe prezantuar krijimet e tyre jo vetëm në infrastrukturën e teatrit në Tiranë si në skenat e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Teatrit Metopol dhe Universitetit të Arteve , por edhe në qytete të tjera si Korça, Shkodra, Berati, Elbasani, Durrësi, Gjirokastra dhe Bulqiza, duke zgjeruar ndjeshëm ndikimin dhe rëndësinë e teatrit për publikun shqiptar.
Festivali “HAPAT” ka karakter garues dhe do të shpërndajë çmime në disa kategori kryesore, përfshirë:
Shfaqja dhe regjia më e mirë
Aktori më i mirë
Aktorja më e mirë
Koreografia më e mirë
Skenografia më e mirë
Kostumografia më e mirë
Muzika më e mirë
Një juri e përbërë nga pesë profesionistë të shquar të fushës do të vlerësojë produksionet dhe do të shpallë fituesit në mbrëmjen gala të 8 Dhjetorit.
Edicioni i tretë e Festivalit Teatror “Hapat” mbahet deri më 8 dhjetor.



