Një koncert special në nderim të mjeshtrit të valles popullore, Rexhep Çeliku, do të mbahet sonte në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore.
I titulluar “Kërcimtari Fluturues – Rexhep Çeliku, Nderi i Kombit”, koncerti është një homazh për trashëgiminë e tij të vyer në artin e valles popullore.
“Shqiponja e skenës shqiptare” Rexhep Çeliku, valltari që kërcen edhe në majë të plumbit, mishërohet në skenën që i fali gjithë jetën e tij.
Me interpretimin e Orkestrinës, Grupit të Valleve dhe Grupit Vokal të Ansamblit Popullor, solistëve dhe me pjesëmarrjen e veçantë të bilbilit të muzikës popullore, Irini Qirjako, këngëtares së mirënjohur të Ansamblit Popullor Fiqirete Kapo dhe solistit të Ansamblit “Shota” të Kosovës, Besnik Grajcevci, artistët nderojnë trashëgiminë e tij duke çuar përpara ëndrrën dhe pasionin e valltarit legjendar.
Ky koncert do të prezantojë krijimtarinë dhe interpretimet solistike të mjeshtrit Çeliku, bazuar në repertorin e tij artistik, shoqëruar me këngë të përzgjedhura, si dhe momente nga jeta dhe karriera e tij, me vlerësime nga personalitete të ndryshme.
Rexhep Çeliku, biri i një familje gjirokastrite me tradita të forta kombëtare, ndoqi gjurmët e të atit, duke e ngritur vallen popullore shqiptare në majën e tempullit të kulturës shqiptare. Ai shkëlqeu në skenën e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke u njohur nga kritika shqiptare dhe e huaj si “Shqiponja fluturuese”.
Me pasion dhe përkushtim, me estetikë dhe mjeshtëri të rrallë, me talent të jashtëzakonshëm, Rexhep Çeliku ka shkruar disa nga faqet më të lavdishme të artit shqiptar.
Gjatë karrierës së tij të shkëlqyer, ai ka interpretuar si solist i parë në mbi 200 valle, ka marrë pjesë në mbi 3000 shfaqje artistike dhe është nderuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare.
Koncerti “Kërcimtari Fluturues - Rexhep Çeliku” mbahet sonte, me fillim prej orës 19:00, në skenën e TKOB.



