
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit ka hapur ekspozitën multimediale “Letra nga Ferri”.
Ekspozita multimediale sjell para publikut një nga periudhat më të errëta të historisë shqiptare, gjatë regjimit komunist (1944-1990), ku përmes letrave dhe dokumenteve autentike paraqitet rezistenca shpirtërore dhe intelektuale e të burgosurve politikë përballë regjimit shtypës.
Në qendër të ekspozitës janë mijëra letra me fjalët e të burgosurve politikë me dëshmitë e shkruara të një qëndrese që tejkaloi torturat dhe mizoritë.
Janë mbi 3 mijë faqe arkivore, që luajnë një rol të rëndësishëm dëshmues mbi natyrën e regjimit diktatorial.
Letrat e paraqitura si objekte të vërteta historike, janë njëkohësisht dëshmi të një lufte të brendshme për të mbajtur shpresën të gjallë. Vizitorët do të mund të lexojnë përmbajtjen e tyre përmes shënimeve të vendosura pranë letrave origjinale.
Ekspozita përmban një hapësirë reflektimi, ku vizitorët do të mund të lënë mendimet e tyre dhe të përfshihen në dialog rreth trashëgimisë së kësaj periudhe dhe rëndësisë së mbajtjes gjallë të kujtesës kolektive.



