
Akademia e Shkencave të Shqipërisë në nderim të 150-vjetorit të lindjes se Gjergj Fishtës, organizoi sot konferencën shkencore ad honorem, “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”.

Në këtë konferencë morën pjesë, monsinjor Gjergj Meta, Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë;, Padre Jerome Ndo Mih, president i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, akademikë, profesorë, studiues të veprës së Fishtës, etj.
Fjala e hapjes u mbajt nga akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave, i cili e vlerësoi si figurë mbizotërouese për botën alabanologjike të kohës që jetoi në tërësi.
“Gjergj Fishta ka qenë gjithnjë aty ku po ndodhte historia me gjithë dritëhijet e veta; është një emër që nuk mund të ndahet prej momenteve më të rëndësishme të saj; delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes të Versajës (1919), me një rol të dallueshëm në mbrojtje të çështjes shqiptare; nënkryetar i Këshillit Kombëtar të dalë nga aktet e Kongresit të Lushnjes më 1921; mbështetës i lëvizjes demokratike që kryesohej nga Noli dhe Gurakuqi, model oratorie në fjalën përcjellëse të Avni Rustemit; mik letërsie dhe njerëzie me Lasgushin dhe Asdrenin; deputet e gojëtar që ka lënë gjurmë në historinë e parlamentarizmit shqiptar; nxitës prej më të parëve për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Amerikën.”, tha ndër të tjera akad. Skënder Gjinushi
Sa u takon kontributeve në historinë e letërsisë shqipe, sipas Gjinushit, Fishtës gjithnjë do t’i njihet merita e pasurimit të llojeve dhe nënllojeve të munguara të saj, duke filluar prej poemës epike heroike deri tek melodrama.
Poashtu sipas akademikut Gjinushi, tri merita janë të pazëvendësueshme në krijimtarinë e tij në kuadër të gjithë letërsisë shqipe, prej fillimeve deri në mesin e shekullit të kaluar.
“Poema e tij, kryevepra me të cilën identifikohet me të drejtë, Lahuta e Malcìs, para se të ishte guxim krijimtarie, ishte guxim për të bërë atë që quhej e pabëshme, për të ardhur tek ngjarjet e bashkëkohësisë, tek kryengritjet e malësorëve sa kundër pushtuesve otomanë aq edhe kundër revanshizmave të fqinjve. Mbas Lahutës së Malcìs ishte e lehtë për këdo tjetër të shkruante për ngjarje të kohëve të reja sepse ja, edhe në këto ngjarje kishte dinjitet për letërsi. Merita e dytë e madhe e Gjergj Fishtës është se e ndau përfundimisht lahutën nga heronjtë legjendarë, nga kreshnikët parahistorikë, nga epoka e gojëdhënave kombëtare, tek figurat që do të meritonin jo shumë më vonë monumentin historik: prej Dedë Gjo Lulit e Oso Kukës deri tek Frashërlliu i Toskërisë; prej Tringës së Dukagjinit deri tek Ali pashë Gucia; prej Marash Ucit të Uc Sokolit deri tek prijësit dhe luftëtarët e tjerë të mbrojtjes së trojeve shqiptare nga lakmitë e të huajve, nga vendimet e padrejta të kongreseve ndërkombëtare; të çlirimit të tyre nga sundimi i huaj”, – nënvizoi Gjinushi.
Gjinushi tha se “Akademia e Shkencave, me këtë konferencë, po hedh një hap për të inkurajuar mirësekthimin e Fishtës. Nuk është kthim i djalit plangprishës, por i poetit të dëbuar, i cili ka pritur dekada të tëra të na thoshte, ashtu siç shkroi njëri prej pasuesve të tij, Martin Camaj: Unë jam i jueji, ju jeni të mitë. Ose siç pati shkruar Naimi: Unë jam në shpirtin tuaj / Mos më merrni për të huaj”.




