Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot pamje nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, tashmë i rikonstruktuar.
Me këtë rast është bërë e ditur se në inaugurimin e teatrit do të ngjiten në skenë kolosët botërore Placido Domingo dhe Ermonela Jaho. Ndërkohë, orkestra do të drejtohet nga dirigjenti anglez Martin Andre.
Përmes një postimi në “Facebook” Rama thekson se me padurim pret ngritjen e perdes së skenës së këtij teatri, i cili më 15 shtator do të mbajë shfaqjen e tij të parë pas rikonstruksionit.
“Mirëmëngjes, dhe me padurimin e ngritjes së perdes së skenës së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas e Baletit, ku në mbrëmjen e 15 shtatorit do të ngjiten artistë që u rritën aty për të kapur majat e botës, por edhe artistë të huaj të atyre majave të botës, ju uroj të diel të mbarë”, shkruan kryeministri Rama në Facebook.
Rikonstruktimi i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit ka nisur në janar të 2017 për t'iu nënshtruar kushteve më bashkëkohore dhe moderne.



