
Me nismën e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës (USHT) nga data 20 nëntor deri në 25 nëntor të vitit 1972 në Tiranë zhvilloi punimet Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Në punimet e këtij Kongresi, morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi.
Në radhët e pjesëmarrësve, të cilët përfaqësonin shkencën, arsimin dhe kulturën shqiptare, ishin dhe arbëreshë nga Italia.
Mes delegatëve më të spikatur veçohen: Aleks Buda, Androkli Kostallari, Bedri Dedja, Dhimitër Shuteriqi, Eqrem Çabej, Idriz Ajeti dhe Josif Ferrari.
Synimi i Kongresit ishte përcaktimi i parimeve dhe i drejtimeve kryesore për hartimin e rregullave të drejtshkrimit, për pasjen e një gjuhe letrare të njësuar.
Në këtë kuptim, ky Kongres ishte kurorëzimi i përpjekjeve të rilindësve dhe i Komisisë Letrare Shqipe.
Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe është shprehje e kristalizimit të normës letrare kombëtare në të gjitha hallkat kryesore të strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore.
Synimi i mbledhjes së Kongresit ishte përcaktimi i parimeve dhe drejtimeve kryesore për hartimin e rregullave të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare të njësuar kombëtare.
Kongresi erdhi pas një takimi me rëndësi që ishte mbajtur në Prishtinë, ku ishte vendosur për shumë standarde gjuhësore.



