Java e Kuzhinës Italiane në botë hapi edicionin IV në Shqipëri. "Edukimi ushqimor: kultura e shijes" është lajtmotivi i këtij edicioni. Java e Kuzhinës Italiane synon të prezantohet si një nismë e cila ka për qëllim promovimin e shenjave dalluese të “Markës Italiane” në vazhdën e ideve të mëdha dhe të vlerave që karakterizojnë sektorin agro-ushqimor italian. Qëllimi i nismës uk ndalet vetëm me promovimin por, përmes kuzhinës, synon të forcojë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe t’i japë udhë një shkëmbimi të frytshëm kulturor. Java e Kuzhinës, e cila do të jetë e pranishme edhe në shkolla, i është bashkuar edhe Albergo Etico, i cili do të sjellë në Tiranë përvojën e tij: një kanal i privilegjuar për futjen në tregun e punës të personave me aftësi intelekti të kufizuar.
Ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo, theksoi se tema e edicionit të këtij viti “Edukimi ushqimor. Kultura e shijes” ka për qëllim forcimin e mëtejshëm të urave që historikisht i kanë lidhur dy brigjet e Adriatikut.
Tradita eno-gastronomike italiane përfaqësohet përgjatë Javës me tre qarqe: Puglia, Campania dhe Veneto. Për rektorin e Universitetit të Venecias, Amerigo Restuçi, marrëdhënia mes dy vendeve që ndahen nga Adriatiku është shumë e fortë dhe e vjetër.
“Kultura shqiptare është shumë e njohur sidomos në zonat e Adriatikut. Në Venecia ka një rrugë që njihet si rruga e shqiptarëve, atje ka pasur një komunitet shumë të vjetër E kam provuar verën shqiptare. E blej ndonjë herë në Venecia. Në Kishën ortodokse të Venecias, një prift shqiptar, sjell shishe vere shqiptare dhe na fton shpesh”, thotë ai.
Java e Kuzhinës Italiane në Botë, një nismë e ndërmarrë për herë të parë në vitin 2016 me qëllim promovimin e produkteve, ideve dhe vlerave që karakterizojnë “Made in Italy”, mbyllet më 26 nëntor.



