Ajo njihet së shumti si poete por edhe si aktiviste e të drejtave të njeriut, që gjatë jetës së saj është përballur me gjëra nga më të pabesueshmet. Pas librit të saj të parë të përkthyer në shqip, “Mami, unë dhe mami”, shkrimtarja amerikane Maya Angelou vjen sërish para lexuesit shqiptar, këtë herë me romanin e parë autobiografik, “Unë e di pse këndon zogu në kafaz” të përkthyer nga Parid Teferiçi.
Angelou e ka vuajtur gjithë jetën faktin e të qënit me ngjyrë dhe të qenit grua. Ajo rrëfen jo vetëm dhimbjet, por mënyrën si ka arritur t’i mpopshtë ato dhe të lerë pas krahëve poshtërimin e bërë dhe të rimarrë në dorë frenat e jetës së saj.
Maya Angelou ka shkruar shtatë romane autobiografike, ku rrëfen historinë e jëtës së saj brenda kontekstit amerikan. “Unë e di pse këndon zogu në kafaz” është një histori rritjeje dhe formimi, që tregon se forca e karakterit dhe dashuria për letërsinë mund të ndihmojnë në kapërcimin e traumave dhe racizmit. Përgjatë librit, ashtu si dhe në jetën e saj të vërtetë, Maja shndërrohet nga viktimë e racizmit me një kompleks të theksuar inferioriteti në një vajzë të re, të vendosur, me dinjitet, e zonja për t’iu kundërvënë çdolloj paragjykimi.



