Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti Ilir Meta vlerësoi poeten e shquar Zhuliana Jorganxhi me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Titulli iu dha poetes Jorganzhi me motivacionin: “Me mirënjohje ndaj punës së çmuar si artiste e fjalës shqipe; për krijimtarinë e saj të begatë me përkushtim dhe atdhetarizëm për këngët shqiptare, duke dhënë shembullin si frymëzuese dhe pararendëse e një brezi të mrekullueshëm krijuesish. Në vlerësim të veprës si intelektuale e vijës së parë, e cila përmes mesazheve dhe kumteve të saj, ndihmoi në veçanti për emancipimin e gruas dhe rinisë shqiptare”.
Presidenti Meta u shpreh se “në vargjet e Zhulianës kanë zënë vend ngjarje të rëndësishme historike, momente të vështira të kaluara nga populli ynë, por edhe dashuria dhe miqësia. Zhuliana Jorganxhi është jo vetëm poete e mirënjohur, mjeshtre e vargut poetik, por edhe një intelektuale e angazhuar, veçanërisht në mbrojtje të kauzave të fëmijëve pa familje dhe pa kujdes prindëror”.
“Për kontributin e madh për këngën shqipe, për përkushtimin dhe atdhetarizmin e saj, dhe për angazhimin e saj si intelektuale e vijës së pare, është kënaqësi të nderojmë sot zonjën Zhuliana Jorganxhi me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh””, – tha Meta.



