
Në 18 vjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Fondacioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës “Ibrahim Rugova” ka botuar librin “Pushteti dhe Intelektualët”, libër me intervista dhe shkrime të Rugovës.
Promovimi i librit është bërë në ambientet e selisë qendrore të LDK-së, derisa kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, e ka përshkruar Rugovën “më shumë se një njeri, një epokë”, duke risjellur në kujtesë përshkrimin e shkrimtarit francez Viktor Hygo për filozofin dhe historianin Volter.
Në të vërtetë, Rugova ishte një epokë dhe pas vete la një trashëgimi të pasur intelektuale dhe një trashëgimi politike, me rezultate të papërsëritshme e monumentale.
Ati themeltar i shtetit të Kosovës, prijësi historik i popullit të Kosovës, themeluesi i Lidhjes Demokratike, formacionit të parë pavarësist; bartësi i lëvizjes më të madhe kombëtare për liri, pavarësi e demokraci, iku në amshim sot 18 vite më parë.
Si kryetar i LDK-së, Abdixhiku konsideroi se Rugova ka lënë një trashëgimi epokale, që sot na shërben si udhërrëfim kombëtar.
I themeluar nga partia, Fondacioni “Ibrahim Rugova” bën botimin e librave, të cilët, sipas Abdixhikut, “kultivojnë dhe përcjellin tek breznitë e reja, mendimin politik, letrar e kulturor të Ibrahim Rugovës”.
Libri, na kujton profilin e lartë të politikanit intelektual dhe intelektualit politikan, dhe na thërret të mendojmë sa të rëndësishme janë këto dy kategori kur bëhen një zë.




