
Një enë e plotë qeramike është identifikuar në fshatin Kthellë të Mirditës.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka bërë të ditur se ekspertët e tij, realizuan hulumtimin në terren të gjetjeve arkeologjike rastësore, pas njoftimit të dhënë nga banorët e zonës se në sipërfaqe janë konstatuar fragmente qeramike, bronzi, eshtrash etj.
Sipas specialistëve ena e plotë qeramike i takon “Kulturës Ilire të tumave të Matit”.
Objekti i zbuluar është një enë qeramike me dy vegje vertikale të zhvilluara mbi buzë, i cili datohet paraprakisht në Periudhën e Hekurit. Specialistët pranë Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik pranë IKTK, bënë të mundur realizimin e të gjithë procesit të pastrimit dhe të restaurimit të enës, si edhe regjistrimin e saj si pasuri kulturore në “Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore”. Ndërkohë, specialistët e IKTK po vijojnë punën për studimin e materialit arkeologjik.
Monumentet arkeologjike të Mirditës i përkasin më së shumti periudhës së hershme të Mesjetës në Shqipëri e njohur gjithashtu si “Periudha e Arbrit”, edhe pse në këtë qytet ka varre dhe objekte të shumta që tregojnë se ky ka qenë një vendbanim ilir që në periudhën e Bronzit, rreth 2000 vjet para erës sonë.



