
Akademia e Shkencave ka përkujtuar 21-vjetorin e përfshirjes së Gjirokastrës në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, një moment historik që e njohu qytetin si një nga qendrat më të rëndësishme historike dhe kulturore të Ballkanit.
Më 15 korrik 2005, Gjirokastra u bë pjesë e kësaj liste prestigjioze, pas një procesi të gjatë dokumentimi dhe vlerësimi, ku kontribuuan studiues, historianë, arkitektë, institucione të trashëgimisë kulturore dhe komuniteti lokal.
Në reagimin e saj, Akademia e Shkencave theksoi se njohja nga UNESCO u mbështet në vlerat e jashtëzakonshme të qytetit, në arkitekturën e rrallë prej guri, shtëpitë karakteristike me kulla, Pazarin e Vjetër, xhaminë e shekullit XVIII, kishat e periudhës osmane dhe monumentet e tjera historike.
Gjirokastra, e njohur si "qyteti i gurtë", përfaqëson një dëshmi të veçantë të mënyrës së jetesës qytetare dhe të zhvillimit arkitekturor ndër shekuj. Rrugicat me kalldrëm, kalaja e qytetit dhe ansamblet tradicionale e bëjnë atë një prej shembujve më të ruajtur të trashëgimisë urbane në rajon.
Akademia e Shkencave vlerësoi kontributin e institucioneve shqiptare, përfshirë Ministrinë e Kulturës dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës, si dhe rolin e banorëve të Gjirokastrës në ruajtjen e identitetit dhe autenticitetit të qytetit.
Përfshirja në UNESCO përbën një arritje të rëndësishme për Shqipërinë, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi për mbrojtjen e vlerave historike, ruajtjen e peizazhit kulturor dhe shmangien e ndërhyrjeve që mund të cenojnë karakterin unik të qytetit.
Gjirokastra nuk është vetëm një qytet-muze, por një simbol i identitetit kulturor shqiptar dhe një pasuri që e vendos Shqipërinë në hartën botërore të trashëgimisë kulturore.



