
Në kuadër të Javës Kulturore Italiane, sot është mbajtur një aktivitet kushtuar arbëreshëve.
Sipari i aktiviteteve u çel me kuvendin “Trashëgimia kulturore arbëreshe. Vepra e Jeronim De Radës dhe Anselmo Lorecchio-s”, që u mbajt në Universitetin Politeknik të Tiranës.
Në këtë konferencë ku ishin të pranishëm disa studiues të fushës, u fol mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore arbëreshe dhe rolin e saj në lidhjet historike italo-shqiptare.
Prof. Matteo Mandalà, përgjegjës i departamentit të Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos vuri në dukje projektet e realizuara nga departamenti ku theksoi rëndësinë e projektit “BESA”, që sjell një përmbledhje të bibliotekave publike dhe private në fshatrat e banuara nga arbëreshët në Italinë e Jugut. Ai theksoi rëndësinë e botimeve të kësaj njësie dhe rolin që duhet të luajnë nënat në mësimin e arbërishtes dhe të fëmijëve arbëreshë.
Komuniteti arbëresh është i shpërndarë në pesë rajone të Italisë dhe gjuha arbëresh e ruajtur prej më shumë se 500 vjetësh është shpallur gjuhë në rrezik zhdukjeje nga UNESCO.
Kjo ditë tërheq vëmendjen për ruajtjen e gjuhës e traditave dhe përcjelljen e tyre në brezat e ardhshme.



