
Në kuadër 110-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Muzeu Historik Kombëtar me mbështetjen e Raiffeisen Invest Sh.A. dhe me ndihmesën e koleksionistit Shpëtim Sala, çelën ekspozitën “Udha drejt Pavarësisë”, e cila na njeh me rrugëtimin historik të nënshkruesve të aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe me artefakte që ilustrojnë këtë ngjarje madhore.
Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi ndër të tjera tha se rrugëtimi i patriotëve shqiptarë, që do të kulmonte me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e kishte zanafillën më 2 nëntor të vitit 1912, në lagjen Pera të Stambollit, në mbledhjen që u zhvillua në hotelin Pera Palace. Nga Stambolli, Ismail Qemali u nis me anije për në Konstancë të Rumanisë. Për të ngritur flamurin kombëtar, patriotët shqiptarë u ndeshën me pengesa dhe vështirësi të shumta. Më 5 nëntor 1912, Ismail Qemali mblodhi patriotët shqiptarë në hotelin Continental të Bukureshtit, ku diskutuan për pavarësinë e Shqipërisë. Në fjalën e tij, ai theksoi: “Tjetër shpëtim për Shqipërinë nuk ka, përveçse të gjenden ca atdhetarë me guxim dhe bashkë me mua të hyjmë në Shqipëri dhe të kasnecojmë vetëqeverimin e saj”.
Në këtë ekspozitë gjithashtu, janë ekspozuar edhe disa telegrame që iu dërguan Ismail Qemalit nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, pjesë e fondit të koleksionistit Shpëtim Sala.



